E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat dhe integrimi/ Drejtori i Doganave takon Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin Vjetor të Drejtuesve të Doganave të rajonit të Evropës, që po zhvillohet në Bruksel, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Ian Saunders.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe Organizatës Botërore të Doganave, me fokus në mbështetjen për proceset modernizuese, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e digjitalizimit të shërbimeve doganore.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Beja vlerësoi rolin kyç të Organizatës Botërore të Doganave në orientimin e reformave dhe në promovimin e standardeve ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të avancuar më tej praktikat doganore në përputhje me modelet më të mira europiane dhe globale.

Në prezantimin e vizionit për doganat shqiptare, Beja theksoi prioritetet drejt plotësimit të kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat në fushën e doganave përqendrohen në përafrimin e plotë të legjislacionit, zbatimin e 24 sistemeve të reja të teknologjisë së informacionit, përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në analizën e riskut, si dhe rritjen dhe forcimin e burimeve njerëzore për të përballuar sfidat e procesit të integrimit.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm Saunders shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj Administratës Doganore Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së efikasitetit operacional.

Ky takim konfirmon vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe për avancimin e mëtejshëm të reformave në sektorin doganor, në funksion të një tregtie më të sigurt dhe më të lehtësuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›