E Diel, 1 Nëntor 2026

Regata ndërkombëtare Brindisi-Vlorë mirëpret rreth 50 mjete lundruese me mbi 250 pjesëtarë

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Regata Ndërkombëtare Brindisi–Vlorë është kthyer në një histori suksesi për turizmin detar shqiptar.

Nga vetëm 10 jahte në edicionet e para, sot kjo garë me jahte mirëpret rreth 50 mjete lundruese, me mbi 250 pjesëtarë ekuipazhesh dhe rreth 400 vizitorë të huaj, përfshirë familjarët e tyre, të cilët zgjedhin të kalojnë fundjavën në Vlorë dhe Orikum, por jo vetëm, me itinerare tokësore deri në Berat e site të trashëgimisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi se ky zhvillim dëshmon rritjen e vazhdueshme të interesit për destinacionin tonë, aq sa regata Brindisi-Vlorë, e cila nga viti i ardhshëm po planifikon të përfshijë edhe Sarandën, tashmë konkurron denjësisht regatën tradicionale Brindisi–Korfuz, e cila nga rreth 150 pjesëmarrës vite më parë, sot numëron rreth 70.

Çdo edicion forcon pozicionin e Marina Orikum dhe Gjirit të Vlorës si një nga destinacionet më premtuese të turizmit detar në rajon, duke sjellë më shumë vizitorë, promovim ndërkombëtar dhe vlerë për ekonominë lokale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›