E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, arrestohet 38-vjeçari me minë me telekomandë

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Policia e Vaut të Dejës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Remote”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Shkodër, arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës.

Sipas Policisë, 38-vjeçari u kap në fshatin Stajkë, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin lëvizte. Në mjet u gjet dhe u sekuestrua një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.

Në lidhje me rastin është shpallur në kërkim shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor i 38-vjeçarit.

Operacioni u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte një mjet shpërthyes me telekomandë.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rastit, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të mjetit shpërthyes, si dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›