Regjistrimi digjital i pronave, Rama: Pritet të përfundojë në dhjetor 2026

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur regjistrimin digjital të pronave në Tropojë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në realizimin e projektit kombëtar për digjitalizimin e të dhënave të pronësisë.
Ky proces synohet të përfundojë në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në fund të vitit 2026, duke krijuar mundësinë për një shërbim më të shpejtë dhe efikas për qytetarët përmes platformës “e-Albania”.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga puna në terren për këtë proces dhe theksoi se regjistrimi digjital i pronave do të mundësojë shërbime të shpejta dhe të sakta për qytetarët, duke e bërë më të thjeshtë dhe të sigurt procesin e regjistrimit.
Sipas tij, përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe saktësisë së të dhënave.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës në terren për regjistrimin digjital të pronave, që deri në dhjetor 2026 do të përfshijë krejt territorin, duke krijuar kushtet e një shërbimi të shpejtë përmes e-Albanias, ku Inteligjenca Artificiale do të ndikojë fort në cilësinë e shërbimeve”, theksoi ai.
Besart Peci, një i ri nga fshati Legbibaj në Tropojë, vlerësoi nisjen e këtij procesi dhe theksoi rëndësinë e tij për banorët, duke pasur parasysh se shumë prej pronave janë trashëguar nga paraardhësit e tyre.
Ai shtoi se punonjësit e Kadastrës kanë verifikuar dokumentacionet që disponojnë banorët dhe se procesi do të vazhdojë me matjen e pronave në terren.
Ekspertët e Kadastrës në terren theksuan se pas përfundimit të regjistrimit fillestar, zona do të ngarkohet në sistem, dhe qytetarët do të kenë mundësinë të aplikojnë për të marrë titujt e pronësisë.
Në lidhje me këtë projekt, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2025 do të përfundojë skanimi dhe arkivimi elektronik i të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor referues, ndërsa deri në fund të vitit 2026 pritet të përfundojë regjistrimi fillestar.
/a.f/r.e/