E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekord i të ardhurave doganore, 164,9 miliardë lekë në 8-mujorin e 2026-ës

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Administrata Doganore ka shënuar një rekord të ri në të ardhurat e mbledhura gjatë periudhës janar-gusht, duke arkëtuar 164,9 miliardë lekë, ose 6,8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ky është niveli më i lartë i të ardhurave të realizuara në një periudhë 8-mujore, rezultat që lidhet me rritjen e aktivitetit të importit, përmirësimin e administrimit doganor dhe forcimin e kontrolleve.

Në rritjen e të ardhurave ka dhënë kontributin kryesor TVSH-ja në import, e cila solli rreth 4,4 miliardë lekë më shumë krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar. Ndërkohë, të ardhurat nga akciza u rritën me rreth 2 miliardë lekë.

Vetëm nga importi i cigareve, të ardhurat nga akciza u shtuan me rreth 1,4 miliardë lekë, ndërsa sasia e importuar dhe konsumi u rritën me rreth 111 tonë. Rritje të të ardhurave u regjistruan edhe nga karburantet e importuara, me 258 milionë lekë, si dhe nga birra e importuar dhe duhani i prodhuar në vend.

Në të ardhurat nga TVSH-ja në import, kontributin më të madh e dhanë karburantet, me 2,5 miliardë lekë më shumë, të ndjekura nga veshjet me 673 milionë lekë, cigaret me 462 milionë lekë dhe kompjuterat e printerat me 304 milionë lekë.

Edhe taksat doganore shënuan rritje, me rreth 568 milionë lekë më shumë. Ndër kategoritë kryesore që ndikuan në këtë rezultat ishin veshjet, këpucët dhe artikujt e tjerë, metalet bazë dhe produkte të tjera.

Administrata Doganore vlerëson se rezultatet e 8-mujorit dëshmojnë vijimin e një performance pozitive, ndërsa puna për lehtësimin e procedurave, luftën ndaj informalitetit dhe forcimin e kontrolleve synon të krijojë një mjedis më të rregullt për biznesin dhe konkurrencë të ndershme në treg.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›