E Diel, 1 Nëntor 2026

Reparti zjarrfikës në Shkodër së shpejti do të pajiset edhe me 12 efektivë të tjerë.

Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i repartit, Agim Ponari, i cili tregon se efektivët e rinj e kanë kaluar testin dhe tashmë janë gati për ndjenjën e detyrës.

“Ka vite që kemi bërë kërkesë për këtë çështje. Besoj se ia kemi arritur qëllimit që të zbusim sadopak mungesën e efektivëve. Do të shtohen rreth 12 efektivë të rolit bazë që do na ndihmojnë për çdo situatë që do krijohet. Jemi shumë afër emërimit të tyre, të cilët kanë kaluar fazën e testimit dhe janë gati për të vazhduar punën në këtë shërbim human,” tha Ponari.

Vera që lamë pas nuk ishte e lehtë për efektivët, të cilët përballuan rreth 350 raste zjarri.

“Kemi pasur rreth 350 raste zjarri, por janë kapur në kohë. Ndërsa tani, në stinën e vjeshtës dhe dimrit, kemi problem me bombolat e gazit nëpër banesa,” shtoi ai.

Aktualisht, ky repart ka 34 efektivë dhe brenda këtij muaji pritet të jenë 46 të tillë. Gjë e cila do të ndihmojë në përballimin e çdo rasti të mundshëm, si gjatë dimrit ashtu edhe në verë, kur rastet e zjarreve janë më të shumta.

Gazetar: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›