E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e dendura në veri, ARRSH: Ndërhyrje në disa akse për pastrimin e gurëve dhe inerteve

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Reshjet me intensitet dhe rrebeshet e orëve të fundit kanë prekur kryesisht zonat veriore të vendit, duke shkaktuar rënie gurësh dhe materialesh në disa akse rrugore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur se situata është mbajtur nën monitorim dhe, pavarësisht rënies së materialeve në trupin e rrugës, nuk janë shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve.

Sipas ARRSH-së, ndërhyrje për pastrimin e materialeve janë kryer në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Bajram Curri–Fierzë dhe Dushaj–Lekbibaj.

“Reshjet me intensitet dhe rrebeshet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe materialesh në trup të rrugës, por pa sjellë probleme me qarkullimin”, njoftoi ARRSH.

Ndërkohë, në aksin Qafë Thorë–Theth pati një bllokim të përkohshëm të rrugës për shkak të materialeve të rëna. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të kontraktorit të mirëmbajtjes me mjete dhe punonjës të shtuar, segmenti u pastrua dhe u hap për të gjitha mjetet.

ARRSH deklaroi se qarkullimi në këtë aks është rikthyer në normalitet, ndërsa strukturat e mirëmbajtjes vijojnë monitorimin e situatës në terren për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›