Reshjet në Shkodër, Beci: Qarkullimi normal, strukturat në terren

TIRANË, 26 tetor/ATSH/Shira të rrëmbyeshëm kanë përfshirë sot qytetin e Shkodrës, por situata paraqitet e qëndrueshme falë angazhimit të strukturave vendore për menaxhimin e prurjeve të ujërave.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka bërë të ditur se të gjitha ekipet e bashkisë po punojnë në terren me gatishmëri të plotë për të garantuar qarkullim normal dhe funksionim të pandërprerë të infrastrukturës kulluese.
“Strukturat e bashkisë Shkodër janë në terren me gatishmëri të plotë, duke ndërhyrë aty ku paraqiten problematika, për të siguruar funksionimin normal të rrjetit kullues dhe lëvizjen e qytetarëve pa pengesa”, deklaroi Beci.
Në Harkun e Bërdicës, një prej nyjeve më problematike për qarkullimin e ujërave gjatë reshjeve intensive, ekipet po ndërhyjnë pa ndërprerje për evadimin e ujërave dhe shmangien e bllokimeve në qarkullim.
Beci u ndal edhe te investimi në kolektorin e ri të ujërave të shiut, i cili, sipas tij, ndikoi në mbajtjen e rrugëve të kalueshme dhe pa problematika serioze.
“Investimi në kolektorin e ri tregoi efikasitetin e sistemit të kullimit dhe vaditjes së ujërave, duke mbajtur rrugët të kalueshme dhe pa asnjë problematikë”, tha ai.
Edhe prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, bën të ditur se të gjitha strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës, kryesisht në bashkinë Vau i Dejës dhe në njësinë administrative Bërdicë, ku janë evidentuar problematikat më të mëdha.
Ndërkohë, Ujësjellësi Shkodër dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Publike vijojnë monitorimin e territorit dhe marrjen e masave të menjëhershme, me qëllim menaxhimin në kohë të çdo situate që mund të krijohet nga reshjet./j.p/