E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet në qarkun Kukës, Baji: Akset nacionale të kalueshme, probleme me energjinë në Tropojë të Vjetër

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji deklaroi për ATSH-në se, pavarësisht reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë territorin, situata në qark paraqitet e qëndrueshme deri në orën 08:10, të datës 6 janar 2026, ndërsa strukturat përkatëse ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë të mundshme.

Sipas Bajit, si pasojë e kushteve të motit, akset rrugore nacionale janë nën ndikimin e rënies së gurëve dhe inerteve në segmente të veçanta, por subjektet kontraktore kanë vijuar punën pa ndërprerje për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, duke ndërhyrë menjëherë aty ku janë shfaqur problematika.

“Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale në Qarkun Kukës janë të qarkullueshme”, theksoi prefekti.

Ai bëri të ditur gjithashtu se nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për situata emergjente apo problematika që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Baji informoi se i gjithë qarku furnizohet normalisht, me përjashtim të 16 abonentëve në njësinë administrative Tropojë e Vjetër, në bashkinë Tropojë, ku po punohet për rikthimin e energjisë.

Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.

Prefekti Baji theksoi se strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, duke qëndruar në kontakt të përhershëm me institucionet vendore dhe shërbimet emergjente.

1 nga 2

/k.s/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›