Policia bashkiake e Durrësit në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin e Durrësit kanë shkaktuar problematika në disa zona të qytetit dhe njësitë administrative.
Përballë kësaj situate, strukturat e bashkisë së Durrësit ndodhen në terren dhe po ndjekin nga afër zhvillimet.
Policia bashkiake e Durrësit njofton se është në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo rast emergjence.
Ekipet janë të angazhuara në asistimin e personave në rrezik, evakuimin dhe transportin e tyre drejt zonave të sigurta, si dhe në menaxhimin e problematikave të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse në rast se përballen me situata rreziku.
Për çdo emergjencë, qytetarët mund të kontaktojnë policinë bashkiake të Durrësit në numrin e telefonit +052 232 250, e cila vijon të jetë në terren dhe në shërbim të komunitetit.
/gj.m/a.f/r.e/