Reshjet në vend, ministri Salla: Rënia e intensitetit, kushte të favorshme për ndërhyrje në terren

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla ka bërë të ditur se gjatë natës shirat kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren.
Sipas tij, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit.
Gjithashtu, ai bën të ditur se në ultësirën perëndimore uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura dhe nivelet në lumenj kanë pësuar rënie të ndjeshme.
“Shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren. Si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit.
Në ultësirën perëndimore, infrastruktura e kullimit po kthehet gradualisht në normalitet dhe uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura. Paralelisht, nivelet në lumenj kanë pësuar rënie dhe rrjedhat po stabilizohen brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese.
Ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje në terren për stabilizimin e situatës, kryesisht në zonat më problematike”, shkruan ministri Salla në rrjetin social në Facebook.
Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftojnë se monitorimi 24-orësh vazhdon dhe situata pritet të stabilizohet plotësisht gjatë orëve në vijim, nëse nuk do të ketë rigjallërim të reshjeve.
/rtsh.al/