Rikonstruksioni i Spitalit të Gjirokastrës, 420 mln lekë nga Ministria e Shëndetësisë, përfundojnë 65% e punimeve

Ndërsa kanë kaluar vetëm 9 muaj nga fillimi i rikonstruksionit të spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, rezulton të kenë përfunduar 65 për qind e punimeve.
Me 420 milionë lekë të rinj, investimi i qeverisë shqiptare synon që ky institucion shëndetësor të ofrojë kushte bashkëkohore.
Edhe pse në bazë të kontratës parashikohet përfundimi i rikonstruksionit në dhjetor të 2026-ës, ecuria e punimeve po ecën me ritme të shpejta dhe parashikohet që gjithçka të jetë gati 3–4 muaj para afatit.
“Gjithë spitali është rreth 8 mijë m2. Ka mbaruar gati 5.090 m2. Punimet e jashtme janë përfunduar të gjitha, me kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha. Sistemi kapot i fasadës është vetëm 10 për qind pa mbyllur. Izolimi i tarracës dhe pjesa e punimeve në tarracë janë mbyllur. Brenda ambienteve të 3-katëshit, te pjesa e parë kemi përfunduar çdo gjë përveç dyerve dhe VC-së,” tregon Alfred Qëndro, përfaqësues i firmës.
Risi është dhe një ngritja e një ure që do të lidhë godinën e spitalit me atë të maternitetit.
“Urën do ta vëmë në funksion në fund të shtatorit, sepse sallat e operacionit do të transferohen,” thotë z. Qëndro.
Spitali i Gjirokastrës mban statusin rajonal dhe ofron shërbim për banorët e 7 bashkive të qarkut. Ky investim vjen pas atij të 2008-ës, i cili përfshiu gjithë godinën.
/rtsh.al/