Rikonstruktohet Poliklinika e Elbasanit – Shtohen aparaturat mjekësore, përmirësohet shërbimi

Godina e Poliklinikës së Specialistëve në Elbasan ka njohur rikonstruksion të plotë. 160 milionë lekë nga buxheti i shtetit ishte fondi i përdorur për të krijuar kushte krejt të tjera pune.
“Kushtet në poliklinikën tonë janë modernizuar, i ka ardhur në ndihmë të gjithë zonës së Elbasanit dhe jo vetëm. Ka ndryshime në infrastrukture”, tha Rezarta Saliu, Nëndrejtoresha e Teknikës, Poliklinika Elbasan.
Por veç kësaj, u investua në disa aparatura që ndihmojnë në ekzaminime më të shpejta e më të sakta. Për herë të parë në kabinetin e EKO-s abdominale tashmë kryhet ekzaminimi i gjëndrave tiroide dhe ekos së gjirit. Kabineti i neurologjisë, është pajisur me EEG (ezhenë) digjitale që shërben për zbulimin në kohë të patologjive të ndryshme. Risi në kabinetin e ORL-së është kryerja e ekzaminimeve me anë të video skopisë, e cila mundëson shikimin në thellësi nëpërmjet kameras duke ndihmuar mjekun në diagnostikim e saktë dhe të shpejtë.
“Tek kabineti i ORL-së kemi pajisje të reja moderne dhe e njëjta gjë është edhe tek pjesa okulistikës” u shpreh Saliu.
Kjo poliklinikë jep shërbim për afro 350 pacientë çdo ditë, ndërsa ju siguron ndihmë 430 mijë banorëve të Qarkut të Elbasanit.
/RTSH