Rikthehet në funksion të plotë nënstacioni elektrik i Ibës

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Brigadat e Tensionit të Lartë të OSSH, në bashkëpunim me OST, punuan pa ndërprerje për vendosjen në tension transformatorin 110/10 kV të nënstacionit Ibë, i dëmtuar dje pasdite për shkak të rënies së zjarrit.
Gjatë gjithë natës janë kryer me shpejtësi zëvendësimi i të gjitha pajisjeve të dëmtuara, si transformatori i fuqisë, transformatorët e rrymës, tensionit, kabllot dhe urat kabllore, terminalet etj.
OSHEE bën të ditur se pavarësisht punimeve, banorët e zonave si Baldushk, Ibë, Bërzhitë, etj., janë furnizuar normalisht me energji elektrike brenda dy orëve nga dëmtimi i transformatorit, si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni i Farkës.
Ndërkohë, sipas OSHEE-së, sot nuk ka patur asnjë fider të nënstacionit Ibë pa energji, pasi iu është dhënë tension nga fiderat unazorë që dalin nga nënstacioni i Farkës.
1 nga 4/r.e/