Volejboll U19 – Shqipëria renditet e treta Grupin A, përballet me Maqedoninë të dielën

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Ekipi kombëtar U19 i vajzave në volejboll ka përfunduar fazën e grupeve në vendin e tretë të Grupit A, pas një paraqitjeje dinjitoze në turneun zhvilluar në sallën e lojërave në Farkë.
Në sfidën e fundit të grupit, Shqipëria u përball me Rumaninë në një ndeshje emocionuese që u vendos vetëm në pikët e fundit të setit të pestë. Edhe pse humbi setin e parë, skuadra kuqezi reagoi fuqishëm, duke përmbysur rezultatin në 2-1. Takimi përfundoi me fitoren e ngushtë të rumuneve 3-2, me setin final që u mbyll 15-13.
Më herët, vajzat shqiptare kishin debutuar me fitore ndaj Bosnjë-Hercegovinës, me rezultatin 3-2, ndërsa në ndeshjen e dytë u mundën nga Serbia me shifrat 3-1.
Me dy ndeshje të forta dhe një fitore në grup, Shqipëria u rendit në vendin e tretë dhe tashmë do të përballet me Maqedoninë e Veriut, që zuri vendin e tretë në Grupin B, për vendin e pestë në renditjen përfundimtare të turneut.
Ndeshja për vendin e pestë do të luhet të dielën, në orën 14:00, në sallën e lojërave në Farkë. Kombëtarja U19 kërkon të mbyllë turneun me një fitore për të kurorëzuar një paraqitje premtuese për të ardhmen.
/a.f/