E Martë, 3 Nëntor 2026

SPAK: Goditja e rrjetit ndërkombëtarë të narkotikëve, masa sigurie për 9 shqiptarë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me autoritetet finlandeze ka goditur një rrjet kriminal ndërkombëtar të trafikut të narkotikëve dhe substancave sintetike.

Hetimet, të cilat kanë nisur pas kërkesës së policisë finlandeze, kanë zbuluar se grupe të strukturuara kriminale të udhëhequra nga shtetas shqiptarë, kanë trafikuar sasi të mëdha droge në Finlandë, përfshirë kokainë, amfetaminë, kanabis dhe ekstazi.

Në kuadër të hetimeve të përbashkëta, Skuadra e Përbashkët Hetimore, e formuar më 21 nëntor 2023, ka përdorur metoda të specializuara, duke përfshirë përgjime dhe kontrollime sekrete. Nga këto hetime ka rezultuar se grupe të strukturuara kriminale kanë shpërndarë drogë nga Holanda dhe Spanja.

“Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë”, informoi SPAK.

Më 3 qershor 2025, janë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 shtetas shqiptarë, pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme; B.S, (27.01.1985); E.A (alias E.T 07.02.1991); A.M (07.06.1981); K.Q (14.04.1981; T.K (alias T.T 15.10.1977); G.S (05.07.1994; E.M, (29.05.1983); L.H, (09.01.1983); D.L, (07.06.1983)

Gjatë aksionit, janë sekuestruar 8 automjete, 13 telefona celularë dhe prova të tjera të rëndësishme.

Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë. Ndihmë të veçantë në hetimin e këtij procedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës.

Hetimi në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore është mbështetur nga “Rrjeti @ON” i financuar nga Komisioni Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›