E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rizzo: Forcimi i sigurisë kibernetike, pjesë e rëndësishme e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian, André Rizzo deklaroi ditën e sotme se BE do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e tij me standardet europiane.

Gjatë konferencës së organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Rizzo vlerësoi bashkëpunimin mes BE-së dhe institucioneve shqiptare për përballimin e kërcënimeve kibernetike.

“Kërcënimet kibernetike kanë si qëllim të cenojnë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sistemin e vlerave demokratike”, u shpreh ai.

Sipas Rizzos, sulmet mund të vijnë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë dhe të synojnë proceset demokratike, infrastrukturën dhe rrjetet kritike. Në një botë të ndërlidhur, theksoi ai, një sulm kibernetik në një vend mund të ketë pasoja përtej kufijve të tij.

“Siguria kibernetike përqendrohet dhe është e njëjtë me sigurinë e vendit, me sigurinë ekonomike dhe stabilitetin. Në këtë mjedis të vështirë gjeopolitik, kërcënimet kibernetike sofistikohen, avancojnë, në mënyrë që koordinimi ynë të ecë me një përgjigje kolektive”, deklaroi ai. Rizzo u ndal edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ku sipas tij “Shqipëria ka avancuar me kapitujt më të rëndësishëm të përmbyllur”. Sipas tij, forcimi i sigurisë kibernetike është pjesë e rëndësishme e këtij procesi, pasi vendet kandidate duhet të kenë një hapësirë digjitale të sigurt dhe kapacitete për ta mbrojtur atë.

“Në këtë rrugëtim drejt anëtarësimit, duke përforcuar kapacitetet e sigurisë kibernetike, synojmë të garantojmë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Bashkimit Evropian. Diplomacia kibernetike garanton që vendet kandidate të kenë një hapësirë kibernetike të sigurt për shoqëritë dhe ekonomitë e tyre”, u shpreh Rizzo.

Rizzo rikujtoi se në vitin 2024 BE-ja dhe Shqipëria lançuan partneritetin e sigurisë kibernetike, ndërsa kjo fushë ka qenë ndër prioritetet e diskutimeve edhe në dy dialogët përkatës mes palëve.

“BE-ja po punon së bashku me Shqipërinë për të bërë të disponueshme instrumentet dhe ekspertizën për të përforcuar kuadrin ligjor të sigurisë kibernetike, duke lehtësuar përafrimin me acquis-në dhe përmes projekteve të asistencës dhe trajnimit në kuadër të Planit të Rritjes”, deklaroi ai

Në këtë drejtim, Rizzo veçoi mbështetjen teknike dhe projektet për ngritjen e kapaciteteve, në bashkëpunim me institucione si Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe Akademia e Qeverisjes Elektronike.

“Këto projekte dëshmojnë angazhimin dhe dedikimin për të ndihmuar e mbështetur Shqipërinë për të përforcuar qëndrueshmërinë kibernetike dhe për të përafruar kuadrin ligjor me dy direktivat që janë dy shtyllat kryesore të acquis-së. Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për të mbështetur angazhimet tuaja për të ndërtuar kapacitetet kibernetike, duke përmirësuar bashkëpunimin me institucionet, me vendet e BE-së dhe me vendet e rajonit, si dhe duke avancuar përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian”, përfundoi Rizzo.

/e.i/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›