Shtrirja e votimit elektronik, Celibashi: Shqetësimet e PD nuk qëndrojnë, partitë të gjejnë konsensus - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, duke marrë në konsideratë ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, deklaroi se punohet për të përshtatur të gjitha masat për organizimin e procesit zgjedhor me ndryshimet e reja territoriale.
“Ne e kemi në fuqi sot ligjin për ndarjen e re territoriale dhe nuk kemi asnjë arsye për ta menduar se çfarë do të ndodhi në lidhje me veprimet apo aksionet e ndryshme ligjore të subjekteve apo të palëve të interesuara në lidhje me këtë ligj. Ne nuk kemi asnjë arsye apo shkak ligjor për të diskutuar në lidhje me këtë çështje. Jemi të angazhuar që prej ditës së djeshme që të gjitha masat që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme t’i përshtatim me ndryshimet e reja të hartës territoriale, administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe për këtë po punojmë”, tha ai.
Gjatë konferencës, Celibashi u pyet në lidhje me zgjerimin e rrethit të bashkive që do të zbatojnë numërimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme vendore. Celibashi tha se KQZ është në favor të zgjerimit të këtij sistemi në sa më shumë bashki, por theksoi se kundërshtimi i Partisë Demokratike nuk mund të anashkalohet.
Sipas tij, edhe pse pretendimet e PD-së lidhur me sigurinë e sistemit elektronik nuk qëndrojnë, është e rëndësishme që partitë politike të gjejnë një konsensus për këtë çështje.
“Pikëpamja jonë si institucion në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik është e pandryshuar. Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë në edhe në këto zgjedhje. Tani Partia Demokratike është partia kryesore e opozitës. Ne nuk mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje, edhe pse shkaqet për të cilat kjo parti e kundërshton nuk qëndrojnë në mënyrë absolute. Por tani ata janë në lirinë e tyre për të për të për të mbajtur një qëndrim në lidhje me këtë çështje. KQZ nuk është palë në këtë në këtë diskutim. Kjo është një çështje e vetë partive politike. Mazhoranca do të duhet të angazhohet në një komunikim me Partinë Demokratike apo dhe me parti të tjera për këtë çështje dhe do të ishte mirë që të kishte një konsensus për këtë, përndryshe për institucionin e KQZ-së ngelet e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të marrë një vendim, i cili kënaq interesat vetëm të një ane dhe shkon në kundërshtim të plotë me interesat e palës tjetër, edhe pse sikurse e thashë dhe ripërsëris, dhe për ta edhe për ta qartësuar ndoshta më mirë, që shkaqet dhe pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë”, tha ai.
Celibashi shtoi se “partitë të punojnë me njëra-tjetrën për të gjetur një konsensus në lidhje me këtë, nuk është nuk duam të përfshihemi në këtë debat”.
/m.q/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
