E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezik për banorët, ndërhyrje për shkatërrimin e masiveve shkëmbore në Torovicë

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Në Lezhë ka nisur ndërhyrja për shkatërrimin e gurëve në malin e Torovicës, prej vitesh të kthyer në rrezik për banorët e zonës.

Autoritetet po punojnë për të rritur sigurinë në këtë aks, ku do të bëhet shpërthimi i komanduar i gurëve nga forcat xheniere.

Operacioni po mbështetet edhe nga Emergjencat Civile të Lezhës dhe bashkia e këtij qyteti.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu e konsideroi këtë një hap konkret për rritjen e sigurisë në Torovicë.

“Ekipi i Emergjencave Civile bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Prefekturën Lezhë, ka nisur operacionin xhenier për shkatërrimin e masiveve shkëmbore përgjatë aksit rrugor në Torovicë. Kjo ndërhyrje vjen si përgjigje ndaj aksidenteve të ndodhura si pasojë e rënies së gurëve, si dhe ankesave të vazhdueshme të banorëve të zonës”, u shpreh ai.

Sipas Ndreut, bashkia ka marrë përsipër financimin e plotë të këtij operacioni, duke garantuar një ndërhyrje të shpejtë dhe të sigurt për eliminimin e rrezikut.

“Siguria e qytetarëve është dhe mbetet prioritet”, u shpreh ai.

1 nga 8

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›