E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrezikonin banorët/ Nis në Balldre operacioni për shkatërrimin e shkëmbinjve në malin e Torovicës


Ka nisur operacioni për shkatërrimin e shkëmbinjëve në malin e Torovicës, në njësinë administrative Balldre, pas një marrëveshjeje mes strukturave të Mbrojtjes Civile dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Sipas informacioneve zyrtare nga strukturat e Mbrojtjes Civile të bashkisë Lezhë, ndërhyrja po zhvillohet në pjesën verilindore të fshatit Torovicë, ku prej kohësh disa shkëmbinj përbënin rrezik potencial për jetën dhe sigurinë e banorëve të zonës.

Operacioni synon eliminimin e këtij rreziku përmes ndërhyrjeve të kontrolluara, duke garantuar sigurinë e komunitetit dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.

Në mbështetje të këtij aksioni janë angazhuar të gjitha strukturat përkatëse të bashkisë Lezhë, përfshirë Drejtorinë e Mbrojtjes Civile, Policinë Bashkiake, Drejtorinë e Bujqësisë si dhe njësinë administrative Balldre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›