Rreziku nga zjarret, nivel i lartë në 6 qarqe

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Intituti i Gjeoshkencavev bën me dije se rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje do të jetë në nivelin “e lartë” gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan dhe Fier.
Sipas parashikimit, në qarqet e tjera rreziku pritet të jetë “i moderuar”, ndërsa në disa zona të lokalizuara niveli “i lartë” parashikohet në veriperëndim të qarkut Dibër, juglindje të qarkut Durrës dhe verilindje të qarkut Berat.
Rreziku më i lartë pritet gjatë ditës së sotme, ndërsa kushtet meteorologjike parashikojnë reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Korçës, të shoqëruara me shtrëngata.
IGJEO informon se “reshje të dobëta priten edhe në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë lokalisht të dobëta”.
Për ditën e premte, 11 shtator, temperaturat pritet të arrijnë deri në 31 gradë Celsius në zonat bregdetare, 34 gradë në vendet e ulëta dhe 30 gradë në zonat malore. Temperaturat minimale do të luhaten përkatësisht në 22, 20 dhe 15 gradë Celsius.
Era gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.
/e.i/a.f/