E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet aeroplani ushtarak në Kolumbi, të paktën 66 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Një aeroplan transporti ushtarak është rrëzuar në Kolumbi, duke u shndërruar në një tragjedi me të paktën 66 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, sipas bilancit të deritanishëm.

Avioni C-130 Hercules me 125 persona në bord u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Puerto Leguizamo, në departamentin e Putumayo pranë kufirit me Ekuadorin, për një shkak që ende nuk është i qartë.

Sipas një burimi ushtarak, në aksident humbën jetën 58 anëtarë të ushtrisë tokësore, gjashtë anëtarë të forcave ajrore dhe dy oficerë policie.

Ministri i Mbrojtjes, Pedro Anulfo Sanchez, e përshkroi aksidentin si “tragjik” dhe shprehu ngushëllime për familjet e të prekurve

Presidenti Gustavo Petro kritikoi ata që pengojnë planet për modernizimin e ushtrisë, duke theksuar se blerja e avionëve C-130 nga Kolumbia filloi që në vitet 1960.

 Në një postim në X, Petro deklaroi: “Nuk do të lejoj shtyrje të mëtejshme. Jetët e të rinjve tanë janë në rrezik. Nëse zyrtarët politikë ose ushtarakë nuk janë në lartësinë e detyrës, ata duhet të shkarkohen”.

Muajin e kaluar, një avion C-130 Hercules i Forcave Ajrore Boliviane që transportonte kartëmonedha u rrëzua në perëndim të vendit, duke vrarë të paktën 20 persona.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›