E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet bashkëpunimi mes dy bankave qendrore Shqipëri-Itali

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Italisë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy bankave qendrore.

Gjatë vizitës, Zaçaj u prit nga zëvendësguvernatorja e Bankës së Italisë, Chiara Scotti. Në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë, veçanërisht në fushën e sistemeve të pagesave.

Zaçaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Banka e Italisë i ka ofruar Bankës së Shqipërisë ndër vite, përmes asistencës teknike, shkëmbimit të ekspertizës dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

Diskutimet u ndalën veçanërisht në ecurinë e projektit TIPS Clone, si një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri dhe në përafrimin e saj me standardet evropiane. Palët shkëmbyen informacion mbi progresin e projektit, si dhe mbi aspektet teknike dhe operacionale që lidhen me hapat e mëtejshëm të zbatimit të tij.

TIPS Clone është një projekt strategjik, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të shpejta, të përputhshme me standardet evropiane. Projekti do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke përshpejtuar transaksionet për bizneset dhe qytetarët, si dhe duke krijuar hapësira për zhvillimin e produkteve inovative financiare. Në këtë kuadër, u vlerësua mbështetja e Bankës së Italisë në realizimin e projektit, i cili përbën një shtyllë të rëndësishme të iniciativës “Cashless Albania” dhe bazohet në praktikat më të mira evropiane.

Bashkëbiseduesit nënvizuan gjithashtu rëndësinë e koordinimit dhe angazhimit të përbashkët për zbatimin me sukses të sistemit TIPS Clone, si dhe për përmbushjen e investimeve dhe përgatitjeve të nevojshme nga pjesëmarrësit e tregut.

Në vijim, palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore, si në fushën e sistemeve të pagesave, ashtu edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e vijimit të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës teknike, në mbështetje të proceseve të modernizimit institucional dhe integrimit evropian.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›