E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten me 14,3% kontributet e sigurimeve në prill

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Rritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore po reflekton efektet konkrete të formalizimit të ekonomisë dhe deklarimit real të pagave në të gjithë sektorët ekonomikë në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit prill 2026 janë mbledhur 17,5 miliardë lekë kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke shënuar një rritje prej 14,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Po ashtu, të ardhurat nga kontributet rezultojnë 2,8% mbi planin e parashikuar, çka konfirmon ecurinë pozitive të administrimit fiskal dhe zgjerimit të bazës së kontribuesve.

Administrata Tatimore vlerëson se ky rezultat është pasojë e masave të ndërmarra për formalizimin e tregut të punës, deklarimin korrekt të pagave dhe luftën kundër nën deklarimit, fenomene që ndikojnë drejtpërdrejt në skemën e sigurimeve dhe pensioneve.

DPT thekson se, forcimi i kontrollit dhe ndërgjegjësimi i bizneseve për deklarimin real të marrëdhënieve të punës synojnë garantimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe pensione dinjitoze për qytetarët./a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›