E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet frika në Lindjen e Mesme se lufta me Iranin mund të rifillojë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA

Mungesa e qartësisë nga Uashingtoni dhe deklaratat kërcënuese nga Teherani kanë shtuar shqetësimin në të gjithë Lindjen e Mesme, ku banorët po përpiqen të kuptojnë nëse konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të rifillojë.

“Gjendja ka ndryshuar dukshëm”, tha për CNN një shtetase 36-vjeçare amerikane që jeton në Arabinë Saudite. Ajo planifikon të largohet para zgjedhjeve të së martës në SHBA, pas të cilave presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se mund të rifillojnë luftimet.


“Njerëzit në përgjithësi janë bërë më të kujdesshëm dhe duket sikur të gjithë po presin të shohin se çfarë do të ndodhë”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.

Në shtëpi dhe në vendet e punës në shtetet arabe të Gjirit Persik, banorët po diskutojnë mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe po kërkojnë shenja që mund t'i ndihmojnë të planifikojnë përballë mbylljes së mundshme të shkollave apo ndërprerjeve të udhëtimeve.

Lufta nisi në shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke vrarë udhëheqësin suprem Ali Khamenei. Konflikti hyri këtë javë në muajin e tetë, ndërsa palët vazhdojnë të jenë në një ngërç, pa përparim diplomatik dhe pa arritur të thyejnë bllokadën ushtarake.

Trump ka dhënë pak qartësi për objektivat përfundimtare të administratës së tij, duke luhatur mes kërcënimeve për sulme të tjera dhe gatishmërisë për diplomaci. Ndërkohë, Irani po përpiqet të tregojë fuqinë e tij parandaluese, duke pretenduar se tashmë posedon armë që mund të godasin më shumë objektiva dhe të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha se më parë.

Përpjekjet ndërmjetësuese po vazhdojnë, por një marrëveshje do të kërkonte që të paktën njëra palë të tërhiqej nga disa prej vijave të saj të kuqe.

Në fillim të këtij muaji, Trump shkroi në rrjetet sociale se Uashingtoni “nuk do ta sulmojë Iranin në asnjë moment para zgjedhjeve të mesit të mandatit”. Fakti që presidenti amerikan nuk ka përjashtuar dhe as konfirmuar rifillimin e sulmeve pas zgjedhjeve është një nga arsyet që po mban të lartë shqetësimin.

“SHBA-ja ka kontribuar aktivisht në këtë ndjenjë ankthi në të gjithë rajonin, duke dhënë vazhdimisht sinjale se një tjetër përshkallëzim mund të jetë i afërt. Megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohet nëse bëhet fjalë për taktika presioni apo për paralajmërime reale”, tha për CNN Hasan Alhasan, studiues i lartë për politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm janë shtuar edhe nga fakti se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pavarësisht humbjes së shumicës në zgjedhjet e fundit. Netanyahu, i cili bashkëpunoi me SHBA-në në sulmet ndaj Iranit dhe ka bërë thirrje për goditje të reja, pritet të nisë javën e ardhshme negociatat për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, rezultatet zgjedhore tregojnë se opozita do ta ketë të vështirë ta largojë atë shpejt nga pushteti.

Në mungesë të informacioneve të qarta, banorët e rajonit shpesh mbështeten te thashethemet ose kërkojnë në rrjetet sociale raportime për lëvizjet e trupave ushtarake, në përpjekje për të kuptuar nëse një sulm amerikan është i afërt.

Gjatë muajit të fundit, komandantët ushtarakë iranianë kanë shtuar deklaratat publike për rezervat e mëdha të armëve të reja që, sipas tyre, ka krijuar vendi. Kjo shihet si një përpjekje për të frikësuar aleatët e Uashingtonit në rajon.

Një zyrtar i lartë i sigurisë në Teheran i tha CNN-it se Irani do të përpiqet të godasë edhe infrastrukturën që nuk lidhet me naftën, përfshirë sektorin e inteligjencës artificiale. Ai paralajmëroi se, në rast të rifillimit të konfliktit, do të zhvillohej një “luftë e surprizave” që mund të zgjasë.

Të shtunën, udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, urdhëroi një përgjigje “pa kufizime gjeografike” ndaj çdo kërcënimi të ri. Ky deklarim shihet si përpjekje për të treguar se ai, ndonëse ende nuk është shfaqur publikisht, po luan rol aktiv në përgatitjet ushtarake.

Për dekada me radhë, punëtorët e huaj janë tërhequr nga shtetet e pasura arabe të Gjirit Persik për shkak të mundësive ekonomike dhe jetesës pa taksa, duke gëzuar një stabilitet relativ në një rajon të përfshirë vazhdimisht nga konfliktet.

Kjo ndjenjë sigurie u trondit këtë vit, pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme të paprecedenta me raketa balistike dhe dronë ndaj qyteteve arabe, duke shkaktuar viktima dhe ndërprerje në shkolla, udhëtime dhe aktivitete biznesi.

Megjithatë, pavarësisht luftës, shumë banorë vendosën të qëndronin, duke i thënë CNN-it se ndiheshin të sigurt nën mbrojtjen e forcave të armatosura të rajonit. Por shqetësimet praktike vazhdojnë.

“Po përpiqem të mos mendoj për mundësinë që kjo të ndodhë sërish, sepse nuk dua të kaloj edhe një dimër tjetër nën sulme. Gjithmonë jam ndier e sigurt këtu, por më shqetëson mundësia që jeta jonë të duhet të ndryshojë përsëri”, tha Michelle, një amerikane 36-vjeçare që jeton në Abu Dhabi.

Këtë muaj, banorët u befasuan kur mësuan se familjarët e diplomatëve amerikanë kishin nisur të largoheshin në heshtje nga rajoni. Largimet u bënë të ditura vetëm pasi fëmijët e tyre nisën të përshëndeteshin me shokët e klasës. Shumë prej familjeve ishin kthyer në vendet e tyre të punës vetëm kohët e fundit, pasi ishin evakuuar në mars, në kulmin e luftës me Iranin. Kjo situatë u ka kujtuar atyre një periudhë të vështirë dhe kaotike.

Shqetësimit i janë shtuar edhe raportimet e Associated Press për dërgimin e mijëra trupave amerikane në rajon.

Në Arabinë Saudite, ku disa aktivitete të mëdha janë anuluar dhe zyrat janë mbyllur, ndërsa punonjësit kanë kaluar në punë nga distanca, banorët shprehen të shqetësuar se rifillimi i luftës mund të shtojë presionin mbi një vend që tashmë përballet me konflikt përgjatë kufirit të tij jugor, pas intensifikimit të sulmeve nga rebelët Huthi, aleatë të Iranit.

“Fqinjët dhe miqtë e mi po përgatiten për muajin nëntor, por kanë filluar të shqetësohen edhe për ndërprerjet e fluturimeve gjatë festave të fundvitit”, tha shtetasja amerikane që jeton në Arabinë Saudite, duke e krahasuar situatën me periudhën e pandemisë COVID-19.

Ajo shtoi se shumë zyra kanë kaluar në punë virtuale ose kanë reduktuar numrin e punonjësve, ndërsa mësimi në distancë është rikthyer.

Në pjesë të tjera të rajonit, aktivitetet ndërkombëtare vazhdojnë sipas planit, megjithëse ekziston rreziku që ato të ndërpriten nëse SHBA-ja ndërmerr sulme gjatë javës së ardhshme.

Në Abu Dhabi, ku nuk janë regjistruar sulme që nga maji, dy kompani amerikane të naftës anuluan pjesëmarrjen e drejtuesve të tyre në një nga konferencat më të mëdha të sektorit në rajon, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, raportoi Reuters.

Megjithatë, organizatori i konferencës, DMG, i tha Reutersit se aktiviteti do të mbahet sipas planit javën e ardhshme, me pjesëmarrje të konsiderueshme amerikane dhe më shumë se 120 kompani amerikane ekspozuese. Sipas organizatorëve, konferenca pritet të presë afro 240 mijë pjesëmarrës.

Në Bahrein, një nga vendet më të goditura nga sulmet iraniane këtë vit, banorët thonë se ende po përballen me pasojat psikologjike të luftës.

“Ndikimi traumatik është ende i pranishëm. Kur dëgjon bombardimet, është sikur i ndien në zemër dhe bëhet e vështirë të flesh gjatë natës, sidomos kur shpërthimet ndodhin jashtë”, tha për CNN-in 21-vjeçari Fawaz.

“Shumë njerëz tashmë janë mësuar me këtë situatë, por ajo vazhdon të jetë shumë e frikshme”, shtoi ai.

Pavarësisht shqetësimeve në rritje për rifillimin e mundshëm të luftës, gjatë javës së fundit janë shtuar përpjekjet diplomatike në prapaskenë.

Sipas mediave iraniane, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i ka dërguar një letër zyrtarit të lartë iranian të sigurisë, Mohsen Rezaei, të cilën Republika Islamike është duke e shqyrtuar. Trump ka pretenduar se letra lidhej me një kërkesë të Iranit për furnizime mjekësore, por zhvillimi ka shtuar shpresat për një përparim diplomatik.

Një zyrtar nga Katari tha se zyrtarë iranianë ndodhen në vend për bisedime. Katari ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin mes palëve, por zyrtari sqaroi se të shtunën nuk kishte përfaqësues amerikanë në këto takime.

Në dallim nga paralajmërimet e Trumpit, ambasadori amerikan në Turqi dhe i dërguari i posaçëm për Sirinë dhe Irakun, Tom Barrack, i tha CNN-it se beson se gjatë dy javëve të ardhshme mund të ndërmerren “hapa të rëndësishëm”.

“Jemi afër. Mendoj se jemi shumë pranë një pike ku më në fund mund të themi: Le të bëjmë një pauzë”, deklaroi ai, duke shtuar se gjithçka varet nga besimi mes palëve dhe nga ajo se kush do të ndërmarrë hapin e parë.

Të shtunën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se nuk mund të përcaktonte nëse kishte pasur përparim në bisedimet e 48 orëve të fundit, por theksoi se Uashingtoni do të ishte i hapur ndaj një zgjidhjeje diplomatike.

“Nëse ekziston një zgjidhje diplomatike, ne jemi të hapur ndaj saj”, tha Rubio.

I pyetur nga CNN-i nëse administrata Trump ka caktuar një afat për përparimin e negociatave, përpara se të rifillojë veprimet ushtarake, Rubio u përgjigj se nuk e dinte nëse ekzistonte një afat i tillë dhe se vendimi i takonte presidentit.

Ai tha se bisedimet nuk janë ndërprerë asnjëherë dhe se kontaktet kanë vazhduar në mënyrë aktive, herë drejtpërdrejt dhe herë përmes ndërmjetësve.

“Preferenca e presidentit për çdo sfidë në botë është që të përpiqet ta zgjidhë atë në mënyrë diplomatike dhe paqësore, nëse kjo është e mundur”, tha Rubio, duke shtuar se disa çështje, për fat të keq, nuk mund të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Megjithatë, ai theksoi se çdo marrëveshje duhet të garantojë sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe të adresojë shqetësimet kryesore të Uashingtonit, veçanërisht ato që lidhen me programin bërthamor të Iranit.

Zyrtarët iranianë kanë deklaruar se janë të hapur për diplomaci me SHBA-në, por nuk kanë besim se negociatat do t'i ndalojnë sulmet ushtarake. Ata kanë përmendur raste të mëparshme kur Irani ishte goditur edhe gjatë zhvillimit të bisedimeve.

Ndërkohë, një nga figurat kryesore të negociatave paralajmëroi se Irani nuk është i gatshëm të bëjë kompromis.

“Kushtet e Iranit u janë bërë të ditura ndërmjetësve vazhdimisht dhe qartë. Qasja me karotë dhe shkop nuk ka asnjë efekt mbi Iranin. Përparimi mund të arrihet vetëm pasi të miratohen shtatë kushtet tona”, tha Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i parlamentit iranian dhe udhëheqës i negociatave me SHBA-në. /Telegrafi/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›