UASHINGTON – SHBA vë veton ndaj rezolutës së OKB-së për Gazën

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – që synon uljen e tensioneve në Gazë, duke thënë se kjo do të forconte milicinë islamiste palestineze, Hamas.
Ambasadorja në detyrë e SHBA-së, Dorothy Shea bllokoi vendimin ligjërisht të detyrueshëm të organit më të fuqishëm të OKB-së kundër të gjitha 14 shteteve të tjera anëtare që votuan në favor të rezolutës.
Ajo kritikoi dështimin e deklaratës për të dënuar Hamasin në një deklaratë jashtëzakonisht të ashpër.
“Angazhimi në këtë proces performues – në një kohë kur po bëhen pyetje serioze në lidhje me dobinë e OKB-së, financimin e saj dhe përdorimin e burimeve është i turpshëm”, tha Shea në një deklaratë.
“Ky Këshill nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë. Ky Këshill duhet t’i përmbahet një standardi më të lartë”, shtoi ajo.
Dokumenti – i propozuar nga 10 anëtarët jo të përhershëm të këshillit – kërkonte ligjërisht një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve izraelite dhe heqjen e kufizimeve për ndihmën humanitare për 2,1 milion njerëzve në nevojë, në Rripin e Gazës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga 15 anëtarë, pesë prej të cilëve janë të përhershëm dhe kanë të drejtë vetoje: SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe.
Këshilli ka diskutuar vazhdimisht luftën në Gazë, ndërsa SHBA-ja ka vënë veton në rezolutat që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund armiqësive dhe për një zgjerim të ndihmës humanitare të kufizuar nga Izraeli.
Uashingtoni konsiderohet i izoluar në Këshillin e Sigurimit për këtë çështje.
Diplomatët e Këshillit të Sigurimit kanë shprehur vazhdimisht zhgënjim me qëndrimin e SHBA-së në muajt e fundit, veçanërisht pasi situata humanitare në Gazë është përkeqësuar për shkak të ndihmës së ndaluar.
Sipas një diplomati të Këshillit, SHBA-ja dhe pjesa tjetër e këshillit “jetonin në dy realitete paralele”. //a.i/