E Martë, 3 Nëntor 2026

Rritja e buxheteve për Mbrojtjen, Rama: Moment për të rilindur industrinë tonë ushtarake

TIRANË, 17 maj /ATSH/ “Shqipëria ka ecur sipas angazhimit, duke rritur buxhetin për mbrojtjen dhe kapur nivein 2%, që ka qenë objektivi i përbashkët i Aleancës, ndonëse është dukur e pamundur fillimisht duke pasur parasysh se s’kemi një buxhet të madh dhe kemi shumë nevoja për të përmbushur”.

Kështu deklaroi, kryeministri Edi Rama sot në konferencën e përbashkët për mediat, në Tiranë, me Presidentin e Republikës Franceze Emmanuel Macron, ku solli në vëmendje,  nevojën për të investuar më shumë në industrinë ushtarake dhe rritjen e efikasistetit të këtij sektori.

“Është moment i veçantë që ka sjellë në tryezë nevojën për të investuar më shumë dhe duam ta shfrytëzojmë për të rilindur industrinë tonë ushtarake, gjë që kemi nisur ta bëjmë. Duke e shfrytëzuar investimin më shumë në buxhet për mbrojtjen si një investim për të krijuar vende të reja pune të mirëpaguara e kështu me radhë”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, “tani që është fryma që të rriten buxhetet, janë rritur ofertat nga kompani nga katër anët e Evropës, për të shitur, por çështja nuk është sa para vëmë ne në dispozicion por si i përdorim dhe me çfarë efikasiteti dhe se si e kompletojnë panoramën e përgjithshme të të gjithë vendeve evropiane”.

“Shqipëria nuk mundet dot ta ketë një ushtri të tillë që t’i ketë të gjitha deri tek arma bërthamore. Kështu që ne duhet të jemi komplementarë në kontekstin e përgjithshëm dhe për këtë duhet një plan i koordinuar me procedura më të qarta për të gjithë dhe me garanci eficience në shfrytëzimin e parave që vendosen. Pata një bisedë me CEO e një kompanie të madhe ushtarake në botë, më tha kam vizituar një vend në Evropë që ka blerë pa fund armatime dhe që akoma s’i kanë futur në punë”, tha ai.

Rama theksoi se, në letra rezulton si shpenzim i mjaftueshëm për ushtrinë por në fakt nuk është forcim i mbrojtjes, kështu që, u shpreh ai, “ne duhet të jemi realistë në këtë histori dhe të kuptojmë sesi do të rrisim kapacitetet, pas një x numër vitesh një sistem mbrojtjeje të Evropës më efikas, të gatshëm dhe të plotë dhe jo si do kemi nëpër blloqe shpenzime ushtarake për të blerë lart e poshtë mjete”.

“Evropa nuk mund të kthehet në një territor kur mendohet vetëm për armë e luftë. Ka edhe gjëra të tjera që duhet të mbajmë parasysh se kur vjen puna te Evropa ka dy territore për të mbrojtur, territorin fizik dhe shpirtëror. Nëse humb territorin shpirtëror, vlera e territorit fizik bie në mënyrë të ndjeshme”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›