E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Deklarata e Koalicionit të të Vullnetshmëve në Tiranë: Moska nuk është konstruktive, duhet të ketë unitet BE-SHBA

TIRANË, 17 maj /ATSH/ – Folëm në telefon me presidentin Trump për të përmbledhur përpjekjet e bëra për të negociuar me rusët, pasi ata nuk kanë treguar vullnet të mirë dhe kanë vendosur kushte të papranueshme, deklaroi kryeministri polak, Donald Tusk në një deklaratë të përbashkët për shtypin me presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Keir Starmer, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky pas telefonatës me Trump.

“Detyra kryesore është të ruhet uniteti i partnerëve evropianë dhe amerikanë rreth çështjes ukrainase, qëndrimi rus nuk mund të quhet konstruktiv në asnjë mënyrë”, shtoi ai.

Të pestë patën një bisedë telefonike me Donald Trump në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

“Jemi të bashkuar në bindjen se pala ruse pati një mundësi të mirë për të zhvilluar bisedime fillestare mbi një marrëveshje paqeje me një marrëveshje të mëparshme armëpushimi dhe jemi shumë të zhgënjyer që kjo nuk ndodhi”, tha kancelari gjerman Metz.

“Topi ishte tërësisht në fushën e Rusisë, të gjitha kushtet ishin për një dialog të mirë fillestar”, shtoi ai.

“Duhet të jetë e qartë se ne qëndrojmë në këtë anë, se Bashkimi Evropian dhe  Koalicioni i të Vullnetshmëve janë të vendosur të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën në mënyrë që lufta të përfundojë”, shtoi kancelari gjerman.

“Përpjekjet diplomatike të bëra deri më tani për fat të keq kanë dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Rusisë për të ndërmarrë hapat e parë, por ne nuk do të dorëzohemi, do të vazhdojmë dhe do ta bëjmë mirë në nivel evropian”, shtoi ai.

“Populli ukrainas dhe shumë njerëz në mbarë botën kanë paguar një çmim për agresionin e Putinit kundër Ukrainës, tani ai duhet të paguajë çmimin për refuzimin e tij për paqe”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në profilin e tij X.

“Nuk e pranoj që Rusia ta shtyjë armëpushimin për një kohë të pacaktuar”, shtoi Starmer.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron gjithmonë me Ukrainën”, përfundoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›