Rrokada në dogana, Besmir Beja merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Gent Gazhelin

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja. Ai zëvendëson në këtë post Gent Gazhelin, i cili drejtoi këtë institucion gjatë viteve të fundit.
Gjatë marrjes së detyrës, kreu i ri i Doganave, Besmir Beja, shpalosi platformën e tij, duke vënë theksin te modernizimi teknologjik. Ai u shpreh se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet implementimit të sistemeve inteligjente. Qëllimi është rritja e efiçencës dhe transparencës, si dhe luftimi i informalitetit dhe evazionit fiskal për të rritur të ardhurat buxhetore.
“Prioritetet kryesore do të jenë rritja e përgjegjshmërisë së strukturave doganore dhe avancimi i proceseve integruese drejt standardeve të BE-së,” theksoi Beja.
Ministri Malaj vlerësoi kontributin e ish-drejtorit Gazheli dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë institucionale. Në fokus të drejtimit të ri do të jetë gjithashtu forcimi i sigurisë në pikat kufitare për të garantuar mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një mjedisi të besueshëm për biznesin.
/rtsh.al/