E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi Gjeologjik: Reshjet e larta shkaktuan shembjen e rrugës Librazhd–Pogradec

Shembja e një pjese të rrugës Librazhd–Pogradec ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë kësaj periudhe. Kështu u shpreh Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, duke theksuar se niveli i reshjeve ka qenë trefishi krahasuar me dy vitet e mëparshme.

Sipas tij, fenomeni lidhet me mbingopjen e strukturave gjeologjike.

“Sasia e reshjeve ka qenë trefishi në krahasim me dy vitet e mëparshme. Është një fenomen që njihet si mbingopja e strukturave dhe, në një strukturë si kjo në formën e hinkës, ka arritur maksimumin e mbingarkesës, duke rezultuar si faktori kryesor për cedimin e gjithë strukturës,” u shpreh Bylyku.

Ai bëri të ditur se Shërbimi Gjeologjik po vijon me studime të thelluara në zonë. Sipas tij, do të paraqiten rekomandime të detajuara bazuar në interpretimin e rezultateve që do të kryhen nga ekspertët.

“Shërbimi gjeologjik është duke vazhduar me pjesën e studimeve të thelluara, dhe do të paraqesë rekomandimet e studimit të thelluar të gjeologjisë të lidhura këto me interpretimet e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të vendosen nga ekspertët, si dhe kryerjen e një serie analizash”, tha Bylyku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›