“Rrugët e Shijes”, hapësira të reja në Korçë për prodhimin dhe promovimin e produkteve vendore

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Në disa prej fshatrave të Korçës po krijohen hapësira të reja për prodhimin, promovimin dhe tregtimin e produkteve tipike të zonës, në kuadër të projektit “Rrugët e Shijes”.
Kryebashkiaku Sotiraq Filo tha se, projekti zbatohet në bashkëpunim mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Korçë. Ai synon t’u japë qendrave të disa fshatrave një funksion të ri, duke krijuar mundësi për përpunimin e produkteve lokale në kushte të përshtatshme dhe afrimin e tyre me vizitorët.
Në fshatin Qatrom, projekti do të konkretizohet përmes krijimit të “Shtëpisë së Qershive”, një hapësirë e dedikuar prodhimit dhe promovimit të qershisë dhe nënprodukteve të saj.
Struktura do të përfshijë ambiente për prodhim dhe degustim, hapësira për zhvillimin e workshop-eve, si dhe një dyqan për produktet lokale. Hapësirat e reja do të integrohen edhe në një itinerar turistik, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me procesin e përgatitjes së produkteve, t’i shijojnë dhe t’i blejnë ato.
Sipas kryebashkiakut Filo, projekti synon të krijojë mundësi të reja për banorët e zonës për zhvillimin e prodhimit vendas dhe rritjen e të ardhurave familjare, ndërsa për vizitorët ofron një mënyrë të re për të zbuluar fshatrat e Korçës përmes produkteve dhe traditave të tyre kulinare.
1 nga 6