Rubio: Goditjet më të forta ndaj Iranit, ende përpara

UASHINGTON, 2 mars /ATSH/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se operacionet ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit do të intensifikohen në fazën e ardhshme, duke paralajmëruar goditje edhe më të ashpra.
Në një prononcim për gazetarët në Uashington, Rubio theksoi se “goditjet më të forta janë ende përpara” dhe se faza e radhës e operacionit “do të jetë më ndëshkuese për Iranin sesa ajo që po zhvillohet aktualisht”.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë fushatën ushtarake “derisa të arrihen objektivat e përcaktuara”, duke theksuar se sipas tij “bota do të jetë një vend më i sigurt kur operacioni të përfundojë”.
Deklaratat vijnë mes tensioneve të rritura dhe përshkallëzimit të goditjeve amerikane dhe izraelite ndaj caqeve iraniane, të cilat Uashingtoni i konsideron të nevojshme për të kufizuar kapacitetet ushtarake të Iranit.