E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Komisioni Evropian synon ndalimin e importeve ruse të gazit në 2027-n

BRUKSEL, 19 shtator /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian synon të shtyjë ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia në Bashkimin Evropian me një vit, në fillim të vitit 2027, si pjesë e paketës së 19-të të sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë.

“Evropa po rrit presionin e saj”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Ekonomia e luftës e Rusisë mbështetet nga të ardhurat nga lëndët djegëse fosile. Ne duam t’i ulim këto të ardhura. Ne po ndalojmë importet e energjisë ruse në tregjet evropiane. Është koha për të mbyllur rubinetin”, shtoi ajo.

”BE-ja ishte gati për ndalimin falë përpjekjeve për të kursyer energji, për të diversifikuar furnizimin dhe për të investuar në burime energjie me karbon të ulët”, tha presidentja e komisionit.

Njoftimi i së premtes erdhi disa ditë pasi Von der Leyen tha se synon të arrijë një ndalim më të shpejtë të importeve evropiane të lëndëve djegëse fosile nga Rusia, pas një bisede me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, BE-ja ka vendosur kufizime të gjera importi për qymyrin dhe naftën ruse. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur sanksione për gazin.

Sipas shifrave të BE-së, blloku importoi LNG nga Rusia me vlerë gati 4,5 miliardë euro (5,3 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2025.

27 vendet anëtare të bllokut duhet ta mbështesin paketën e re unanimisht përpara se ajo të hyjë në fuqi./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›