SANA’A – Avionë sauditë bombardojnë pozicionet e separatistëve në Jemen

SANA’A, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Separatistët në Jemenin e shkatërruar nga lufta thanë se Arabia Saudite ka kryer sot sulme ajrore kundër forcave të tyre në lindje të vendit.
Televizioni “Aden Independent”, i lidhur me Këshillin Tranzitor Jugor (STC), raportoi se avionë sauditë bombarduan sot pozicione të mbajtura nga forca të lidhura me STC-në në provincën e pasur me naftë Hadramaut, në lindje të Jemenit.
STC-ja mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Televizioni transmetoi pamje të asaj që e përshkroi si pasojat e sulmeve, por nuk dha detaje për viktima apo dëme materiale.
Nuk pati menjëherë ndonjë reagim nga Arabia Saudite
Sulmet e pretenduara ajrore pasuan përleshje të ashpra mes forcave të STC-së dhe luftëtarëve të Aleancës Fisnore të Hadramautit, një grup rival.
Burime lokale në Hadramaui thanë të paktën dy luftëtarë të lidhur me STC-në janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve.
Arabia Saudite nisi një ndërhyrje ushtarake në Jemen në vitin 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.
Më herët këtë muaj, shpërthyen luftime mes forcave pro-STC-së dhe qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite, duke nxitur frikë për ndarje të mëtejshme në vendin e varfër./ /Ad.Ab./ a.jor.