E Hënë, 2 Nëntor 2026

SANA’A – Të paktën nëntë të vdekur pas sulmeve izraelite në Jemen

SANA’A/Tel Aviv, 26 shtator  /ATSH-DPA/ – Numri i viktimave nga sulmet ajrore të Izraelit ndaj objektivave në kryeqytetin jemenas Sana’a, dje në mbrëmje, është rritur të paktën në nëntë, raportoi sot agjencia zyrtare jemene SABA, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi.

Sipas raportit, të paktën 174 persona janë plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe të urgjencës vazhdojnë kërkimet për viktima nën rrënoja dhe identifikimin e tyre.

Sulmet përkuan me një fjalim televiziv të udhëheqësit të grupit Houthi, Abdel-Malek al-Houthi.

Ushtria izraelite tha se goditjet kishin në shënjestër një objekt “sigurie dhe inteligjence” të Houthi në Sana’a.

Operacioni u ndërmor pas një sulmi me dron të kryer mbi qytetin jugor izraelit Eilat, ku u plagosën 20 persona, dy prej tyre rëndë.

Sipas autoriteteve izraelite, droni kishte origjinën nga Jemeni, dhe përgjegjësinë e mori lëvizja Houthi e mbështetur nga Irani.

Ushtria izraelite deklaroi se sulmet e djeshme ishin përgjigje ndaj goditjeve të përsëritura me dronë dhe raketa që Houthit kanë drejtuar kundër Izraelit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›