SHBA – Trump dhe Erdogan mirëkuptim të përbashkët për armëpushimin në Gaza

UASHINGTON, 26 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, arritën një “mirëkuptim të përbashkët” se si të arrihet një armëpushim në Gaza dhe në fund një paqe në gjithë Palestinën.
“Ne shpjeguam se si të arrihet së pari një armëpushim në Gaza dhe në gjithë Palestinën, dhe pastaj të ecet drejt paqes së qëndrueshme. Kishte një mirëkuptim të përbashkët për këtë”, u tha gazetarëve Erdogan, i cili u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë të enjten, në fluturimin e tij të kthimit nga SHBA-ja.
“Numri i vendeve që e njohin Palestinën ka shkuar mbi 150. Që kjo mbështetje të reflektohet në terren, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me vendosmëri dhe të marrë masa”, shtoi ai.
Erdogan theksoi se zgjidhja me dy shtete mbetet “formula për paqe të qëndrueshme” në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se situata aktuale është e paqëndrueshme.
“Trump është gjithashtu i vetëdijshëm se gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu”, tha ai.
“Ne diskutuam për katastrofën humanitare në Gaza dhe situatën në Siri. Unë mbështes vizionin e presidentit Trump për paqen globale. Arritëm një konsensus mbi nevojën për të ndaluar gjakderdhjen”, tha presidenti turk.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pamë edhe një herë se Izraeli ka filluar të izolohet me shtypjen dhe krimet kundër njerëzimit që ka kryer”, theksoi ai./ /os/