E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump kritikon ashpër Putinin: Lufta ka dëmtuar reputacionin e Rusisë

UASHINGTON, 26 shtator /ATSH/- Gjatë fjalimit të tij dje në Zyrën Ovale, presidenti i SHBA-së, Donald Trump kritikoi ashpër udhëheqësin rus, Vladimir Putin për luftën e tij të vazhdueshme në Ukrainë, sipas “Kyiv Independent”.

“Jam shumë i pakënaqur me atë që po bën Rusia dhe me atë që po bën presidenti Putin”, u tha Trump gazetarëve gjatë një konference për shtyp.

“Nuk më ka pëlqyer aspak. Ai po vret njerëz pa asnjë arsye”, shtoi ai.

Deklarata e tij nënvizon retorikën e ndryshueshme të Trump mbi luftën në Ukrainë, pasi përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar paqen midis Kievit dhe Moskës nuk dhanë rezultate.

Kremlini ka refuzuar vazhdimisht thirrjet për armëpushim, duke përshkallëzuar sulmet ajrore në qytetet ukrainase.

“Ata po veprojnë shumë keq – duke pasur parasysh se i kanë vënë të gjitha në rrezik. Ekonomia e tyre po shkon drejt fundit. Ata po bombardojnë gjithçka dhe po pushtojnë shumë pak territor”, shtoi Trump.

“Mendoj se lufta ka dëmtuar reputacionin e Rusisë”, shtoi ai.

Pas takimit të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti Trump tha se Ukraina ishte në një pozicion për të luftuar dhe për të rimarrë territoret e pushtuara – me mbështetjen evropiane.

Ndërsa Kievi dhe disa zyrtarë evropianë e kanë mirëpritur ndryshimin e retorikës së Trump, shumë të tjerë e shohin atë si një sinjal – se Shtëpia e Bardhë kërkon ta lirojë Uashingtonin nga përgjegjësia dhe t’ia kalojë atë vetëm Evropës.

Ndryshimi vjen gjithashtu mes tensioneve në rritje midis NATO-s dhe Rusisë – pasi vendet aleate thanë se dronët dhe avionët rusë kishin shkelur vazhdimisht hapësirën e tyre ajrore.

Trump tha se vendet e NATO-s duhet të rrëzonin avionët rusë që shkelnin kufijtë e tyre, një deklaratë e mirëpritur nga shumë anëtarë lindorë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›