E Diel, 1 Nëntor 2026

SEUL – Myung dhe Meloni forcojnë bashkëpunimin në IA dhe mbrojtje

SEUL, 19 janar /ATSH-AFP/ – Koreja e Jugut dhe Italia ranë dakord sot të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e inteligjencës artificiale, hapësirës dhe industrisë së mbrojtjes, duke u zotuar të përballen së bashku me sfidat globale, gjatë një samiti dypalësh në Seul.

Presidenti Lee Jae Myung priti kryeministren italiane Giorgia Meloni në zyrën e tij, në vizitën e parë të një udhëheqësi italian në Korenë e Jugut pas gati dy dekadash.

Duke folur krah udhëheqëses së djathtë pas takimit, Lee tha se të dy vendet do të “zgjerojnë më tej horizontet e bashkëpunimit në industri të avancuara si inteligjenca artificiale, hapësira dhe aviacioni”.

“Përveç kësaj, do të ndjekim një bashkëpunim plotësues në industrinë e mbrojtjes, duke u mbështetur në pikat e forta të secilës palë”, shtoi ai.

Koreja e Jugut është shndërruar vitet e fundit në një eksportuese të rëndësishme të armëve, pasi vende të Evropës Qendrore dhe Lindore,  përfshirë Poloninë, kanë nënshkruar marrëveshje me prodhues koreano-jugorë, në kushtet e luftës së zgjatur të Rusisë në Ukrainë.

Vendi ka mbetur në gatishmëri luftarake që nga përfundimi i Luftës Koreane më 1953 me një armëpushim dhe ka vepruar shpejt për të eksportuar armë drejt vendeve që kanë nevojë. Megjithatë, Seuli nuk i ka furnizuar Ukrainës armë, për shkak të një politike të brendshme që ndalon dhënien e armëve vendeve në luftë.

“Lufta në Ukrainë përbën gjithashtu një rrezik jashtëzakonisht serioz për sigurinë e Evropës në çdo aspekt”, tha Meloni.

“Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë të ndjekim forma të reja bashkëpunimi në nivel global,” shtoi ajo, duke e cilësuar Seulin si “një nga partnerët më të rëndësishëm të G7”.

Nga ana e tij, Lee u zotua se do të “punojë ngushtë së bashku për të kontribuar në paqen globale” dhe për të “mbrojtur vlerën universale të paqes, duke shtrirë përpjekjet tona… në mbarë botën”. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›