E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Gjeneralmajori Jeffers: Mijëra policë dhe ushtarë ndërkombëtarë do të dislokohen në Gaza

UASHINGTON, 19 shkurt /ATSH/- Në takimin e parë të Bordit të Paqes, gjeneralmajori i SHBA-së, Jasper Jeffers, foli për plane specifike për të trajnuar dhe dislokuar ushtrinë dhe policinë në Gaza.

“Në afat të shkurtër, ne planifikojmë të dislokojmë ushtrinë, fillimisht në sektorin e Rafahut”, u tha ai pjesëmarrësve në samitin e Bordit të Paqes, duke shtuar se grupi planifikon të ndërtojë radhët e tij për të pasur 12 000 policë dhe 20 000 ushtarë.

Pjesëmarrësit në takimin e Bordit të Paqes janë mbledhur sot në Institutin Amerikan të Paqes.

Takimi filloi me një foto të të pranishmëve, ku presidenti amerikan, Donald Trump ishte i shoqëruar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, zëvendëspresidenti JD Vance dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, një anëtar i bordit ekzekutiv të organizatës.

Trump bëri një shaka ndërsa të gjithë pjesëmarresit pozuan, duke pyetur nëse të tjerët po e shijonin muzikën që luhej në sfond.

Ndërsa pjesëmarrësit, përfshirë udhëheqës të huaj dhe zyrtarë të administratës Trump, zunë vendet e tyre pas podiumit, disave iu dhanë kapele të kuqe në stilin MAGA me mbishkrimin “SHBA” me shkronja të mëdha të bardha.

Trump ka hapur takimin me një fjalim drejtuar pjesëmarrësve, të cilët po mblidhen për t’u përqendruar në të ardhmen e Gazës. Përfaqësues të dhjetëra vendeve pritet të marrin pjesë në program.

Në fjalën e tij hapëse, Trump tha se Bordi i Paqes ishte një nga gjërat më të rëndësishme dhe me pasoja – në të cilat ai ka qenë i përfshirë, ndërsa vlerësoi vendet dhe udhëheqësit që po marrin pjesë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›