SHBA – Presidenti indonezian, Subianto zotohet të dërgojë trupa në Gaza

UASHINGTON, 19 shkurt /ATSH/- Presidenti indonezian, Prabowo Subianto u zotua se do të dërgojë trupa në Gaza, ne takimin e pare te Bordit te paqes, të iniciuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sipas “NBC News”.
Subianto, rikonfirmoi angazhimin e tij për të dërguar trupa në Gaza për të marrë pjesë në stabilizimin ndërkombëtar.
“Arritja e armëpushimit është reale. Ne e përgëzojmë këtë dhe për këtë arsye rikonfirmojmë angazhimin tonë për të kontribuar me një numër të konsiderueshëm trupash, deri në 8 000 ose më shumë, nëse është e nevojshme”, u tha Subianto pjesëmarrësve.
Subianto gjithashtu vlerësoi presidentin amerikan, Donald Trump, duke u shprehur se me udhëheqjen e presidentit Trump, ky vizion i paqes së vërtetë do të arrihej.
Pjesëmarrësit në takimin e Bordit të Paqes janë mbledhur sot në Institutin Amerikan të Paqes.
Takimi filloi me një foto të të pranishmëve, ku presidenti amerikan, Donald Trump ishte i shoqëruar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, zëvendëspresidenti JD Vance dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, një anëtar i bordit ekzekutiv të organizatës.
Trump bëri një shaka ndërsa të gjithë pjesëmarresit pozuan, duke pyetur nëse të tjerët po e shijonin muzikën që luhej në sfond.
Ndërsa pjesëmarrësit, përfshirë udhëheqës të huaj dhe zyrtarë të administratës Trump, zunë vendet e tyre pas podiumit, disave iu dhanë kapele të kuqe në stilin MAGA me mbishkrimin “SHBA” me shkronja të mëdha të bardha.
Trump ka hapur takimin me një fjalim drejtuar pjesëmarrësve, të cilët po mblidhen për t’u përqendruar në të ardhmen e Gazës. Përfaqësues të dhjetëra vendeve pritet të marrin pjesë në program.
Në fjalën e tij hapëse, Trump tha se Bordi i Paqes ishte një nga gjërat më të rëndësishme dhe me pasoja – në të cilat ai ka qenë i përfshirë, ndërsa vlerësoi vendet dhe udhëheqësit që po marrin pjesë. //a.i/