SHBA - Gjykata federale pezullon planin e Trump për ndërtimin e harkut gjigant triumfal në Uashington - ATSH -
UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Një gjykatëse amerikane vendosi dje pezullimin e punimeve për projektin e diskutueshëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërtimin e një harku gjigant triumfal në Uashington.
Sipas vendimit, pezullimi do të zgjasë fillimisht dy javë, gjatë të cilave do të shqyrtohet nëse projekti është në përputhje me ligjin.
Qyteti i Uashingtonit dhe shteti fqinj i Virxhinias, janë ndër palët që kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër ndërtimit të strukturës, e cila parashikohet të jetë më shumë se 76 metra e lartë.
Harku do të jetë më i lartë se “Harku i Triumfit” në Paris, nga i cili është marrë si model, dhe do të ngrihet mbi shumë prej monumenteve të tjera të njohura të kryeqytetit amerikan.
Para vendimit të gjykatëses Tanya Chutkan, komisioni i planifikimit të kryeqytetit dha miratimin për projektin.
Ky komision ishte plotësuar disa muaj më parë, me persona që mbështesin Trump.
Gjatë një debati disaorësh, të zhvilluar më herët në distancë, shumë banorë të zonës shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Vendimi i gjykatëses ndalon për momentin të gjitha punimet, përfshirë edhe heqjen e barit në rrethrrotullimin e madh ku, sipas planeve, pritet të ndërtohet harku.
Lartësia e parashikuar e strukturës ka shkaktuar kritika, pjesërisht për shkak se pranë saj kalon një korridor ajror, që përdoret nga avionët në aeroportin kombëtar “Reagan” të Uashingtonit.
Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka nisur disa projekte arkitekturore që kanë shkaktuar polemika.
Ai urdhëroi shembjen e krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një salle gjigante ballosh, projekt që gjithashtu është kundërshtuar në gjykatë.
Trump planifikon gjithashtu rindërtimin e një fushe historike golfi në Uashington. //a.i/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
