E Premte, 6 Nëntor 2026

PD ankimon në Kushtetuese tre aktet e qeverisë kundër dhunës urbane, kërkon pezullimin e tyre - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e tre akteve të qeverisë që lidhen me protestat, si dhe për pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

Kërkesa përfshin Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, datë 28 tetor 2026.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi në një konferencë për shtyp se këto akte krijojnë një mekanizëm për kufizimin e protestave, ndëshkimin e organizatorëve dhe kontrollin e qytetarëve që marrin pjesë në tubime.

“Qeveria po përdor rendin publik si alibi për të kufizuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar”, u shpreh Bardhi, duke theksuar se qëllimi i ankimit është mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore.

Duke argumentuar kundërshtimet ndaj tre akteve, Bardhi tha se, Akti Normativ nr. 5/2026 i jep Policisë së Shtetit kompetenca për të kufizuar tubimet në zona të caktuara deri në 72 orë, si dhe për të urdhëruar largimin e personave nga këto zona deri në 48 orë.

Sipas tij, këto kompetenca ndërhyjnë në lirinë personale dhe në të drejtën për tubim, duke i dhënë Policisë kompetenca që, për nga natyra dhe pasojat, i përkasin pushtetit gjyqësor.

“Policia nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë. Ajo nuk mund të marrë kompetenca që Kushtetuta ia rezervon pushtetit gjyqësor”, deklaroi Bardhi.

Ai kundërshtoi gjithashtu kompetencën për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen nxitëse të dhunës, duke argumentuar se mungesa e kufijve të qartë mund të krijojë hapësirë për abuzim dhe të cenojë lirinë e shprehjes.

Sa i përket Aktit Normativ nr. 6/2026, Bardhi tha se parashikimi i përgjegjësisë solidare për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve rrezikon të vendosë përgjegjësi kolektive për veprimet e individëve.

“Përgjegjësia në një shtet të së drejtës është individuale. Nuk mund të ndëshkosh një organizatë për veprimin e një personi tjetër. Nuk mund të vendosësh mbi organizatorët barrën e veprimeve që nuk i kanë kryer, nuk i kanë urdhëruar dhe nuk i kanë nxitur”, u shpreh ai.

Bardhi kundërshtoi edhe mundësinë e vendosjes së gjobave në rrethana kur përgjegjësia penale nuk është përcaktuar përfundimisht nga gjykata, duke iu referuar parimit të prezumimit të pafajësisë.

Për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, kreu i grupit parlamentar të PD-së ngriti shqetësime për krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e lidhur me procedime ose hetime penale për vepra të kryera gjatë tubimeve.

Sipas Bardhit, ky mekanizëm ngre pikëpyetje për bazën ligjore, mbrojtjen e të dhënave personale dhe pasojat që mund të ketë për qytetarët, përfshirë shkëmbimin e informacionit me autoritetet e vendeve të destinacionit dhe operatorët privatë të akomodimit.

Ai theksoi se zbatimi i vendimit mund të sjellë edhe kufizime të lirisë së lëvizjes, deri në refuzimin e daljes nga territori i Shqipërisë, pa pasur një masë sigurimi të vendosur nga gjykata.

Krahas ankimit në Gjykatën Kushtetuese, Bardhi bëri të ditur se anëtarët e opozitës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut kanë kërkuar thirrjen për llogaridhënie të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Sipas tij, drejtuesi i Policisë duhet të japë shpjegime për ndalimet dhe gjobitjen e protestuesve paqësorë, si dhe për dhunën policore gjatë protestave të javëve të fundit.

Bardhi i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë çështjen me urgjencë, ndërsa kërkoi edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë.

“Asnjë pushtet nuk qëndron mbi Kushtetutën. Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e cila duhet garantuar dhe mbrojtur, jo ndëshkuar”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se PD-ja do të përdorë instrumentet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për t’u mbledhur, për të shprehur mendimin dhe për të kundërshtuar politikat e qeverisë.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›