SHBA – Rubio: Rusia paraqiti ide të reja për bisedimet e paqes në Ukrainë

UASHINGTON, 10 korrik /ATSH-DPA/- Rusia ka paraqitur ide të reja që synojnë t’i japin fund luftës që Moska nisi në Ukrainë, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas një takimi me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, në Kuala Lumpur.
I pyetur nga një gazetar nëse këto ishin koncepte që administrata e presidentit Donald Trump nuk i kishte hasur më parë, Rubio u përgjig se mund të ishte një qasje e re dhe e ndryshme.
“Përsëri, nuk do ta karakterizoja si diçka që garanton paqen, por është një koncept që do ja përcjell presidentit sot”, shtoi ai.
Rubio tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës kishte qenë fokusi kryesor i bisedimeve të tij me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe se ai përcolli zhgënjimin e Trump për mungesën e progresit në gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit.
Trump, i cili është bërë gjithnjë e më kritik ndaj presidentit Vladimir Putin, në javët e fundit, akuzoi liderin rus se po fliste “budallallëqe” kur bëhej fjalë për propozimin e një plani paqeje për Ukrainën. //a.i/