UASHINGTON – SHBA rifillon dërgimin e disa armëve në Ukrainë

UASHINGTON, 10 korrik /ATSH// – Administrata e presidentit Trump ka rifilluar dërgimin e disa armëve në Ukrainë, një javë pasi Pentagoni kishte urdhëruar pezullimin e disa dërgesave, thanë zyrtarë amerikanë, sipas AP.
“Armët që po shkojnë drejt Ukrainës përfshijnë municione 155 milimetra dhe raketa precize të drejtuara të njohura si GMLRS”, thanë dy zyrtarë në kushte anonimiteti.
Nuk dihet saktësisht se kur ka filluar dërgimi i armëve.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte urdhëruar pezullimin e disa dërgesave javën e kaluar – për të lejuar Pentagonin të vlerësonte rezervat e armëve, në një veprim që e kapi Shtëpinë e Bardhë në befasi.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu në kushte anonimiteti, se nuk kishte pasur kurrë një “pezullim” të dërgesave, por një rishikim të tyre – për t’u siguruar që ndihma ushtarake e SHBA-së ishte në përputhje me strategjinë e mbrojtjes.
Zyrtari tha se Pentagoni nuk e kishte shpallur kurrë zyrtarisht pezullimin e dërgesave të armëve. /Ad.Ab./