E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Bllokada detare në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi të plotë

UASHINGTON, 11 qershor /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot në postimin e tij më të fundit, në “Truth Social”, se sulmet e planifikuara ndaj Iranit janë anuluar, ndërsa negociatat mes palëve janë miratuar në koncept dhe në detaje të plota, nga të gjitha palët e përfshira, raportoi BBC.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Irani, apo nga vendet e tjera që përmenden në deklaratë.

Megjithatë, Trump shtoi se bllokada detare e SHBA-së ndaj porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi të plotë.

Çfarë është bllokada detare?

Bëhet fjalë për një operacion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që synon të ndalojë anijet që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane, me qëllim kufizimin e aftësisë së Teheranit për të përfituar nga eksportet e naftës.

Sipas përshkrimeve, forcat amerikane përdorin satelitë dhe burime të inteligjencës komerciale, për të ndjekur lëvizjet e anijeve, që largohen nga portet iraniane, duke i monitoruar deri në daljen e tyre, në Oqeanin Indian, ku më pas mund të ndërhyhet për t’i ndaluar.

Bllokada, sipas këtij versioni, ka nisur më 13 prill, në përgjigje të kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror global.

Në postimin e tij, Trump thekson gjithashtu se çdo marrëveshje përfundimtare mes palëve do të nënshkruhet së shpejti, ndërsa koha dhe vendi i saj do të njoftohen më vonë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›