E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Hamasi nuk dëshiron marrëveshje armëpushimi në Gazë

UASHINGTON, 25 korrik /ATSH/-  Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Hamasi nuk dëshironte një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe se ai besonte se udhëheqësit e grupit militant tani do të “ndiqeshin”, sipas “abc news”.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Steve Witkoff, i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ndërpreu bisedimet indirekte me grupin militant palestinez, në Doha dhe mes shqetësimeve në rritje ndërkombëtar për krizën humanitare në Gazë.

Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli dhe aleatët e tij do të ndjekin “opsione alternative” për të kthyer pengjet e mbetura të 7 tetorit dhe për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në territor, duke shkaktuar shqetësimin se SHBA-ja dhe Izraeli kanë braktisur bisedimet për armëpushim.

“Është shumë keq, pasi ka arritur në një pikë ku do të duhet të përfundojmë punën”, tha presidenti i SHBA-së.

“Mendoj se ata do të ndiqen”, tha Trump duke iu referuar udhëheqësve të Hamasit.

Deklarata e Trump lë pak ose aspak hapësirë për rifillimin e negociatave për të ndaluar luftimet, në një kohë kur shqetësimi ndërkombëtar po rritet për shkak të përkeqësimit të urisë në Gazën e shkatërruar nga lufta.

Trump reagoi gjithashtu ndaj njoftimit të presidentit francez Emmanuel Macron se Franca do të ishte fuqia e parë e madhe perëndimore që do të njihte shtetin e pavarur palestinez.

“Ai është një djalë shumë i mirë, më pëlqen, por kjo deklaratë nuk ka peshë”, tha Trump.

Netanyahu e quajti vendimin një “shpërblim për terrorizmin”.

Vendet perëndimore janë angazhuar për dekada të tëra për një shtet të pavarur palestinez, por prej kohësh kanë thënë se ai duhet të lindë nga një proces paqeje i negociuar.

Dy fuqitë e tjera të mëdha të Evropës, Britania e Madhe dhe Gjermania, e bënë të qartë se nuk kishte plane për të vepruar menjëherë për shtetësinë palestineze. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›