E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj

UASHINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kritikoi sërish Organizatën e  Kombeve të Bashkuara (OKB), duke deklaruar se ajo nuk ka arritur të përmbushë potencialin e saj.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë jam një mbështetës i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur atë”, theksoi ai.

I pyetur nëse synon ta zëvendësojë OKB-në me Bordin e Paqes, i krijuar si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas, Trump u shpreh se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë për shkak të potencialit të madh që ka.

“Besoj se duhet ta lini OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është shumë i madh”, tha ai.

Trump pretendoi gjithashtu se OKB-ja “duhej t’i kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë kam zgjidhur”.

“Unë nuk iu drejtova kurrë atyre. As nuk mendova të shkoja. Ata duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin këto luftëra. Nuk e bëjnë”, shtoi ai.

Presidenti republikan ka deklaruar vazhdimisht se administrata e tij ka përfunduar tetë luftëra në vitin e parë të mandatit të dytë presidencial dhe se për këtë meritonte çmimin Nobel për Paqen.

Bordi i Paqes u krijua fillimisht si pjesë e planit amerikan për Gazën, me synimin për të mbikëqyrur një qeveri tranzitore.

Diplomatë që kanë parë statutin e këtij organi i kanë thënë dpa-së se ai përbën një sfidë të hapur ndaj OKB-së, të cilën Trump e ka cilësuar vazhdimisht si jofunksionale.

Sipas këtyre burimeve, SHBA-ja po shqyrton zgjerimin e ndjeshëm të mandatit të bordit, nga Gaza drejt promovimit të stabilitetit dhe zgjidhjes së konflikteve në mbarë botën.

Draftstatuti parashikon që Trump të kryesojë këshillin e bordit dhe që vetëm krerët e shteteve dhe kryeministrat e ftuar prej tij të mund të jenë anëtarë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›