Tre të vdekur në Tel Aviv dhe dëme të mëdha nga hakmarrja e Teheranit

Sipas mediave izraelite, numri i viktimave nga sulmet raketore të Iranit kundër Izraelit është rritur në tre, ndërsa të plagosurit kanë arritur në 91.
Sipas transmetuesit publik izraelit Kan, një grua që ishte plagosur gjatë valës së parë të sulmeve me raketa nga Irani ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Dy persona të tjerë, të cilët u plagosën në një tjetër sulm me raketa në Izraelin qendror, janë shpallur të vdekur.
Nga të plagosurit, tre janë në gjendje kritike ose të rëndë, sipas Kan.
Rreth 300 banorë në zonën e Tel Avivit janë evakuuar pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar, ndërsa 100 të tjerë janë evakuuar nga bashkia e Ramat Gan, pranë Tel Avivit, raportoi Channel 12.
Sipas gazetës Haaretz, në Ramat Gan janë shkatërruar plotësisht nëntë ndërtesa, dhe janë dëmtuar qindra apartamente e automjete nga raketat iraniane.
Ndërkohë, Kan raportoi se janë parë ndërhyrje ajrore edhe mbi Teheran, pas sulmeve të reja nga Izraeli.
Izraeli ka ndërmarrë sulme në orët e para të së premtes duke goditur objekte bërthamore dhe raketore në Iran, si dhe duke vrarë komandantë ushtarakë dhe shkencëtarë të lartë iranianë. Irani u kundërpërgjigj me një sulm me raketa balistike, duke goditur disa zona në të gjithë Izraelin.
/vizionplus.tv