Regjistrimet në konvikte, Dapi: Tetë godina për studentët e Inxhinierisë, edhe katër ditë kohë

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ndërsa regjistrimet në universitete vijojnë ende me raundet e tjera, studentët që janë shpallur fitues vijojnë regjistrimet për akomodimin nëpër konvikte.
Në godinat rezidenciale universitare nr. 2 në Tiranë, sipas drejtoreshës Zhanina Dapi, regjistrimet vijojnë të kenë një ecuri normale, përveç fluksit të shfaqur ditët e para.
“Në rezidencat tona përfshihen Fakultetet e Inxhinierisë, Mjekësisë dhe Institutit të Fizkulturës. Kanë filluar fillimisht me studentët që kanë qenë ekzistues dhe janë në vazhdim të vitit akademik, vitet e dyta, të treta. Ndërkohë, pas përfundimit të regjistrimit të javës së parë të këtyre studentëve ka vijuar me studentët që vitet e para. Aktualisht një student në rezidencat tona paguan 6300 lekë qira mujore. Kjo qira është e ndarë në disa këste në momentet kur familja has vështirësi financiare. Ka filluar me një fluks, pastaj në ditët në vazhdim fluksi bie. Sot është një ecuri më se normale. Komisioni pret nga ora 8:00 deri në orën 17:00”, tha drejtoresha Dapi.
Procedurat e regjistrimeve bëhen fizikisht, ndërsa përzgjedhja e emrave në listën e pritjeve vijon sipas datave të kërkesave me shkrim, duke plotësuar vendet e mbetura vakante.
“Gjatë gjithë vitit kemi regjistrime të studentëve të cilët qëndrojnë në listëpritje ose vijnë në momente të caktuara, sepse edhe vetë studentët janë me periudha. Për këtë arsye lirohet vendi dhe mund të regjistrohet një student tjetër, nëse kujtohet edhe mes vitit që të vijë të regjistrohet. Ne marrim datat kush ka qenë më përpara dhe vazhdojmë me kërkesën”, u shpreh Dapi.
Kur kanë mbetur dhe katër ditë për regjistrime, konviktet e Inxhinierisë, ky vit i gjen në rikonstruksion dhe kapacitet të plotë. Janë gjithsej tetë godina në dispozicion për akomodimin e studentëve, të cilat funksionojnë me kushte bashkëkohore.
/e.i//a.f//r.e/