SHBA – Trump dislokon trupat e Gardës Kombëtare në Uashington

UASHINGTON, 11 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se po vendoste zbatimin e ligjit në kryeqytet, Uashington, D.C., nën kontrollin federal, së bashku me vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare.
Këto masa të jashtëzakonshme janë të nevojshme për këtë qytet, të cilin ai e përshkruan si “të pushtuar nga bandat e dhunshme”.
Ndërsa statistikat zyrtare tregojnë një rënie të krimit të dhunshëm në Uashington, D.C., presidenti amerikan njoftoi se po përdorte një masë që do ta autorizonte atë të merrte kontrollin e policisë në këtë qytet, i cili gëzon një status të veçantë në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është bërë një situatë e paligjshmërisë së plotë dhe totale”, tha Donald Trump në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pasi u kërkoi të pastrehëve të Uashingtonit të largoheshin “larg” nga qyteti, në një postim një ditë më parë në platformën e tij Truth Social.
Presidenti republikan premtoi gjithashtu se iniciativa e tij nuk do të ndalet në Uashington, ku shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
“Kjo gjë do të shkojë më tej. Po fillojmë shumë fuqishëm në Uashington dhe do ta pastrojmë këtë shumë shpejt”, deklaroi ai.
Donald Trump tha gjithashtu se po vendoste Gardën Kombëtare, një forcë rezervë, “për të rivendosur ligjin, rendin dhe sigurinë publike”.
Ai mobilizoi Gardën Kombëtare në Kaliforni në qershor, kundër dëshirave të guvernatorit demokrat Gavin Newsom, duke pretenduar se donte të rivendoste rendin në Los Anxheles, pas protestave kundër arrestimeve të emigrantëve nga Agjencia Federale e Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Ndryshe nga 50 shtetet e SHBA-së, qyteti i Uashingtonit vepron brenda një marrëdhënieje të veçantë me qeverinë federale./ /os/